E ka lidhur fatin e tij së fundmi me numrin 3. Lionel Mesi mbushi 30 vjeç pak ditë më parë, zgjodhi datën 30 qershor për të bërë dasmën e tij me Antonelën, ndërsa kontrata me Barcelonën do të ketë vlerë 3-vjeçare. Po ashtu, klauzola në kontratë shkon në 300 milionë euro, ndërsa rroga vjetore i kalon 30 milionë eurot, dhe do të jetë 35 ose 40 milionë. Natyrisht, të gjitha këto janë rastësi, ndërsa rinovimi i yllit më të madh të botës është një lehtësim i madh për tifozët katalanas.
Me kontratën e vjetër që përfundonte vitin tjetër, rreth Leos ishte krijuar një situatë që as nuk mund të mendohej për një futbollist si ai. Në këtë gjendje vijnë vetëm lojtarë të cilët nuk janë kaq shumë të rëndësishëm për klubet, ose që nuk janë kaq sumë shumë të lidhur me klubin dhe me tifozët. Ky nuk është rasti i Mesit.
E gjitha kjo thjesht tregon se në çfarë tensionimi ka qenë gjendja tek Barcelona këto kohë, përfshirë në skandale të ndryshme (ku nuk shpëtoi as vetë Mesi), me një president që rrezikon burgun si Rosell, dhe me kohët super të lumtura të Guardiolës dhe Laportës që duken larg.
Nuk dihet se çfarë e solli këtë realitet të Leos në klub. Ndoshta, pretendimet e tij financiare janë dukur të jashtëzakonshme (35-40 milionë euro rrogë ngjan si e Stefën Kërrit) në një kohë që Spanja dhe padyshim edhe Katalonja jetojnë në krizë ekonomike dhe ku papunësia është tepër e lartë. Gjithsesi, pak mendohet të jetë kjo, pasi klubet e futbollit janë “oaze në shkretëtirë” që nuk kanë të bëjnë shumë me realitetin që i rrethon, ndërsa tifozët edhe kur janë të varfër vazhdojnë të tërhiqen si me magnet nga pasioni i tyre i pashërueshëm për futbollin.
Diçka kishte ndodhur në “Kamp Nou” që e kishte bërë Mesin të vinte në diskutim dashurinë më të madhe të jetës së tij, përtej asaj për njerëzit e afërt. Tani shpresohet që gjithçka të ketë marrë fund. Mesi ka dashur të kuptojë se cilat do të jenë qëllimet e klubit, dhe nëse Barcelona do të ketë një skuadër aq të fortë sa të fitojë sërish Ligën Spanjolle dhe Championsin. Besohet, është bindur.
Në “Kamp Nou” që nga viti 2000, Leo e ka kaluar praktikisht gjithë karrierën në një klub të vetëm dhe tani besohet se do ta mbyllë po aty, duke u bërë një nga futbollistët e rrallë që i mbeten besnik një skuadre të vetme.
Sfidanti.al