Që nuk jemi një vend sportiv këtë e dimë të gjithë. Asnjëherë më parë shqiptarët nuk ishin ngjitur në një nga tre shkallët e “olimpit” të sportit dhe si për ironi, për herë të parë pas më shumë se 100 vitesh olimpiadë, e bëjmë këtë me një sportist shumë të talentuar, një djalë fantastik që ndoshta meritonte edhe më shumë se kjo e bronxtë por gjithsesi…me asnjë lidhje logjike me vendin dhe sportin tonë. Valiev është natyralizuar sot shqiptar si mijëra të tjerë në vitet e fundit por…mbetet gjithmonë një por…
Peshëngritja tek e cila kemi investuar shpresa për dekada me radhë, këtë herë si për ironi, nuk ishte aspak e pranishme në Paris 2024 për shkak të shkatërrimit që i kanë bërë njerëzit që e menaxhojnë, ndërsa Luiza Gegën e ngarkuam më shumë me pritshmëri se sa mund të mbanin këmbët e saj tashmë në perëndim të karrierës, duke harruar se kam[pione Europe ajo u shpall shumë vite me parë. Le të mos flasim as për notin, qitjen apo disiplinat e tjera olimpike që na kanë zhgënjyer në vazhdimësi, aq sa sot një medalje bronzi e fituar nga një shqiptar prej Dagestanit, na shijon aq shumë sa shpesh herë bëjmë sikur nuk e kujtojmë që këta mundës të shkëlqyer kanë meritën e madhe që stërviten e punojnë duke kombinuar djersën me talentin e tyre, por nuk kanë asnjë lidhje sportive me traditën shqiptare. Gjithsesi, festa e olimpike le të nisë edhe pse këtë medalje, në njëfarë mënyrë e kemi “marrë borxh” nga Dagestani i largët.
Nga Pirro Bardhyli