Manchester City ka fituar Superkupën e Anglisë pasi mposhti në finale Manchester United me rezultat 7-6 pas ekzekutimit të penalltive, pasi ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 1-1. ‘Qytetarët’ e nisën më mirë këtë takim duke rrezikuar në dy raste portën e Andre Onanas, por duke mos arritur që ta gjejnë golin. Fillimisht ishte Oscar Bobb ai që rrezikoi i pari në minutën e 22-të, por topi fluturoi mbi traversë dhe nuk përfundoi në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë, Man City rrezikoi sërish kësaj radhe me anë të James McAtee, por gjuajtja e tij e fortë u ndal nga shtylla.
Rasti më serioz i Unitedit në pjesën e parë të takimit ishte në minutën e 36-të kur gjuajtja e Marcus Rashford shkoi fare pranë shtyllës së djathtë. Pjesa e dytë nuk ishte aq aktive sa i përket rasteve për gol në krahasim me të parën, megjithëse të dy ekipet shënuan nga një gol. Ishte pikërisht Rashford ai i cili sërish doli në rast të mirë për gol, kur në minutën e 76-të u asistua për mrekulli nga Alejandro Garnacho, por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla e majtë e Ederson. ‘Djajtë e Kuq’ më në fund arritën ta zhbllokojnë rezultatin kur në minutën e 82-të Alejandro Garnacho u gjend mirë në zonë për të bërë një goditje precize që përfundoi në rrjetë për rezultatin 1-0.
Kur dukej se Man United do ta mposhtte Man Cityn për herë të dytë radhazi në një finale, në skenë doli Bernardo Silva i cili në minutën e 88-të shënoi me kokë për rezultatin 1-1 pas asistimit të Oscar Bobb. Pasi ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 1-1, u desh që të ekzekutoheshin penalltitë për t’u vendosur fituesi. Në penallti më të saktë u treguan Manchester City të cilët ia dolën të fitojnë me rezultat 7-6.
sfidanti.al