Ka disa muaj që nga “muret e padepërtueshme” të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) kanë dalë zëra se “gjuetia” e radhës për stolin kuqezi është duke sjellë një teknik nga Kroacia. Pas legjendarit dhe të ndjerit Oto Bariç si dhe të ndjerit tjetër, Josip Kuzhe, kombëtarja shqiptare do të drejtohet siç duken gjasat nga një tjetër specialist i vendit të kroatëve, që kombëtares së tyre i thonë “të zjarrtët”. Nuk dihet sesa i zjarrtë do të jetë ky i yni, ndërsa emrin ende nuk ia kemi mësuar, veçse mund të themi se me Edi Rejën mori fund (të paktën për momentin) dashuria italiane që nisi tepër herët me Dosenën, dhe rilindi me De Biazin, edhe pse mori një goditje të fortë me Panuçin. Ndoshta mosha tashmë 77-vjeçare e “misterit” Reja bëri që “martesa” të mos ishte më tej e lumtur, dhe prapa shpinës së tij u kërkua trajner prej muajsh. Të shohim sesi do të shkojmë me dashurinë kroate!
Sfidanti.al