“Mbreti” Xhejms pranë eleminimit në raundin e parë në 15 vjet

Kurrë ndonjëherë në karrierë nuk i ka ndodhur një gjë e tillë, dhe kurrë më parë nuk ka ndodhur që të humbasë dy ndeshje radhazi plej ofi të raundit të parë. Gjithsesi, rrethanat janë të tilla që Lebron Xhejms rrezikon shumë eleminimin për herë të parë në 15 vjet, ndërsa Los Anxhelos Lejkërsat nuk duken aq të forta, kurse Feniksi ngjan me një “makinë të pandalshme”. Mungesa e Entoni Dejvisit u ndje shumë në Arenën e Solt Lejk Sitit ku vendasit fituan me shifrat 115-85. Kjo epërsi 30-pikëshe u vendos që në pushim, diçka që Lejkërsave nuk u ndodhte në 25 vjet.

Lebroni shënoi 24 pikë, kapi 5 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, në një ndeshje aspak të keqe, madje edhe gjuajtjet i pati normale me saktësi gati 50 për qind. Nuk mjaftoi në mungesë të Dejvisit, ndërsa të vetmit lojtarë të tjerë që shënuan me dy shifra ishin Kajl Kuzma, 15 pikë, dhe Horton-Taker 11. Mungesa e Dejvisit i dha më shumë liri Devin Bukerit që pati 30 pikë, si dhe 7 topa në tabela e 5 asistë. Lajmi i keq për Feniksin ishte dëmtimi i Kris Polit, që shpreson të jetë gati për ndeshjen e gjashtë në Los Anxhelos. Feniksi kryeson 3-2 serinë e plej ofit dhe ka nevojë vetëm për një fitore për t’u kualifikuar.

Sfidanti.al