Mançini-Luis Enrike duel respekti dhe sfide në prag të gjysmëfinales europiane!

Dueli është i gjithi latin, edhe pse i shkollave të ndryshme, ndërsa emocionet pritet të jenë të forta në “Uembli”. Një Itali-Spanjë në gjysmëfinale të Europianit nuk është luajtur kurrë, kemi pasur disa çerekfinale dhe një finale, ndërsa dy trajnerët tregojnë sesi e presin duelin e orës 21:00. “Pres një ndeshje zbavitëse, – thotë Mançini i Italisë, – të shohim në fund se si do të shkojë. Më intrigon shumë kjo përballje, pasi do të luajmë në finale nëse ia dalim të fitojmë. Uroj që djemtë të luajnë një futboll të bukur, do të jetë një ndeshje komplet ndryshe nga ajo me Belgjikën”.

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, vlerëson në maksimum “të kaltrit”, por thekson se skuadra e tij do të futet në fushë për të bërë lojën e saj.  “Italia është një ekip i vështirë për t’u përballur dhe mendoj se do të jetë një sfidë shumë argëtuese, me shumë pasion dhe mes dy skuadrave që pëlqejnë të luajnë në të njëjtën mënyrë, – ishte shpjegimi i tij, – Ne mund të humbasim, të fitojmë, ta barazojmë, por jam i sigurt që skuadra ime do të jetë besnike e identitetit të saj”. Dy kombëtaret do të përballen  edhe në nëntor në Ligën e kombeve por më parë duhet të përcaktojnë se cila prej tyre do të shkojë në finalen e 11 korrikut.

Sfidanti.al