Mançester Siti kalon Bajernin dhe niset në takimin me historinë!

Nuk është se bëri diçka kaq të jashtëzakonshme dhe dominoi. Nuk ishte i tillë kualifikimi i Mançester Sitit ndaj Bajernit në Ligën e Kampionëve, pavarësisht shifrave totale 4-1, por megjithatë kualifikimi ishte me jehonë të madhe. Në çfarëdo rrethane nuk është aspak punë e thjeshtë të mundësh bavarezët 4-1 në dy ndeshje Championsi, por Siti i Guardiolës e bëri. Pati nervat e forta, që shpesh e kanë lënë në baltë, pati unitetin si ekip, pati fatin, por edhe Erling Halandin, që shënoi golin e vetëm anglez në Mynih.

Në përfundim të 90 e ca minutave në “Alianc Arenë”, gjermanët patën epërsi në gjithçka, në zotërim topi me 58 për qind, me gjuajtje 19-7 dhe me goditje në kuadrat 7-2. Gjithsesi, Siti e përballoi presionin dhe u tregua pragmatist, ashtu siç shpesh nuk dinë të jenë ekipet e Guardiolës. Në të dyja ndeshjet duhet thënë se Bajerni bëri më shumë, por mori si shpërblim tepër pak. Xhoshua Kimih barazoi në 83’, por kjo nuk solli reagim për përmbysje. Të shohim tani sesi do t’ia dalë Siti ndaj Realit në gjysmëfinale.

Sfidanti.al