Po e paralajmëronin rikthimin dhe duket se tashmë po e shikojmë me sytë tanë. Mançester Junajtidi, me gjasë, nuk është ende ai i kohës së Sër Aleks Fergusonit, ndoshta as nuk do të arrijë të dalë kampion, por është e sigurt se është përsëri një nga fuqitë e mëdha të futbollit anglez. Nuk mund të jetë ndryshe kur fiton derbin me përmbysje ndaj Mançester Sitit të Pep Guardiolës, që nuk mundi ta festonte siç duhet ndeshjen e 500-të si trajner në ligat europiane. “Djajtë e kuq” padyshim që e merituan edhe pse u ndihmuan nga VAR-i në rastin e golit përcaktues shënuar nga Markus Rashford. Sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje kur iu nis topi, por për çudi teknologjia nuk e bëri drejtësinë këtë herë.
Gjithsesi, rezultati bëri drejtësinë për atë që u dha në fushën e “Old Trafordit”, ku ekipi i trajnerit Erik Ten Hag dominoi pjesën e parë, dhe nuk u dorëzua në të dytën. Pas shumë minutave të vështira pas pushimit, me Sitin shumë më agresiv dhe në avantazh me golin e Xhek Grilishit, Junajtidi e mori veten. Bruno Fernandes barazoi në 78’ dhe Rashford goditi katër minuta më vonë, ndërsa njeriu që ktheu derbin u duk se ishte argjentinasi i ri, Alehandro Garnaço. Edhe pse kampionët mbajtën topin 70 për qind, sërish nuk merituan më shumë. Si mundesh kur realizon vetëm një goditje në kuadrat? Me këtë fitore, Mançester Junajtidi është tërësisht në garën për titull, ndonëse edhe i dha një ndihmë Arsenalit që kryeson me 44 pikë. Ekipi i Ten Hagut ka 38 pikë ndaj 39 të Sitit, ndërsa Njukasëlli nuk është larg.
Sfidanti.al