Nuk arriti të fitonte, por mori një rezultat shumë të mirë jashtë fushe. Mançester Junajtid nuk mund të thuhet se e mërziti shumë trajnerin Zhoze Murinjo pas barazimit 1-1 në Belgjikë ndaj Anderlehtit. Në një përballje të fortë në Bruksel, sulmuesi Henrik Mkitarian i kaloi miqtë në epërsi në 36’ dhe skuadra angleze ishte shumë pranë fitores, të cilën nuk mundi ta arrinte. Leander Dedonker barazoi në minutën e 86-të, pikërisht atëherë kur u mendua se belgët ishin dorëzuar.
Në dy ndeshjet e tjera të luajtura në orën 21:05, fituan ekipet vendase. Ajaksi pati një sukses të pastër ndaj Shalkes, me shifrat 2-0, ndërsa Selta e Vigos e kishte shumë më të vështirë. Holandezët triumfuan me dy gola të shënuar nga Klasen, njërin në 23’ me penallti, dhe tjetrin në fillim të pjesës së dytë (52’). Selta pësoi dy gola nga belgët e Genkut, dhe në fund fitoi 3-2. Boetius kaloi miqtë në avantazh në 10’, pastaj spanjollët realizuan tri herë me anë të Sistos, Aspasit dhe Guidetit, përpara sesa Bufel në 67’ t’u jepte shpresë vizitorëve.
Sfidanti.al