Për një moment duhej të duronte turpin që Kristal Palasi udhëhiqte në rezultat për herë të parë ndaj Mançester Junajtidit, gjatë gjithë historisë së Premier Ligës. Zhoze Murinjo, ndoshta nuk e ka ditur këtë hollësi, dhe as nuk e ka vrarë mendjen për të, por thjesht ka shkuar në dhomat e zhveshjes për t’u bërë një “dush” të mirë lojtarëve të tij.
Në Londër, në “Selhërst Park”, pjesa e parë u mbyll 1-0 për vendasit, dhe të besuarit e Roi Hoxhsonit dyfishuan shifrat sapo dolën në fushë. Murinjo thjesht ndenji ulur në stol, i mësuar me goditje të tilla, duke pritur reagimin e të tijve. Ashtu siç ishte besimi i patundur i trajnerit, reagimi erdhi, pavarësisht se Pol Pogba sërish nuk shkëlqeu.
Pas golave të Andros Taunsendit dhe Patrik Van Anholtit për londinezët, nisi kthesa e “djajve të kuq”. Kris Smallingu shkurtoi shifrat në 55’, ndërsa u deshën më shumë se 20 minuta për t’u arritur barazpesha. Ajo pritej nga minuta në minutë, dhe pas shtyllës së Aleksis Sançezit, topin në rrjetë e dërgoi Romelu Lukaku. U mbushën 99 gola në Premier Ligë për sulmuesin e fuqishëm belg.
U mendua se me kaq mbaroi gjithçka, dhe se Junajtidi do të detyrohej të kënaqej me një pikë, që edhe mund të mos e kishte fituar, dhe të mbetej në vendin e tretë në renditje pas Liverpulit. Jo, besniku i Murinjos, Nemanja Matiç, kishte mendim tjetër. As ai nuk shkëlqeu, por goli në minutën e 91-të bën të harrohet gjithçka, ndërsa mesfushori serb të kthehet në hero.
Një fitore e rrallë, provë e vërtetë karakteri për një skuadër që ndoshta nuk ka qenë më e bukura dhe më e mira në Angli apo në Europë, por që nuk dorëzohet kurrë. Ashtu siç nuk dorëzohet kurrë trajneri i saj. Junajtid ka 62 pikë, 16 më pak se Siti që kryeson, por 2 më shumë se Liverpuli.
Sfidanti.al