Man. Junajtid-Ajaks, dy botë të kundërta në finalen e Ligës së Europës

Me vuajtje në të dy stadiumet, por finalja doli ajo që pritej. Mançester Junajtidi do të jetë kundër Ajaksit të Amsterdamit në ndeshjen fundore të Ligës së Europës në 24 maj në stadiumin e Solnës, në Stokholm. Edhe duke i zgjedhur me dorë nuk mund të gjendeshin dy realitete kaq të kundërta në betejën finale për trofeun. Mançester Junajtid është biznesi më i madh në botën e klubeve të futbollit, me një vlerë superior ndaj kujtdo, dhe me yje të blerë me rekorde botërorë si Pol Pogba apo të paguar në mënyrë astronomike si Zllatan Ibrahimoviç (nuk luan në finale për dëmtim). Në stol, një nga trajnerët më të paguar të botës, Zhoze Murinjo.

Ajaksi është mjaft i ri në moshë, me disa nga lojtarët fare adoleshentë si Onana, Sançez, Dolberg apo Del Ligt. Mosha mesatare e formacionit në fushën e Lionit ishte pak më shumë se 22 vjeç, ndërsa pesë nga 7 lojtarët në stol, kishin moshë nga 17 deri në 20 vjeç. Trajneri Peter Bos arriti një sukses të madh me futbollistë të paguar pak, ndërsa Ajaksi i qendroi besnik traditës së tij duke u bazuar tek talenti holandez, ashtu si në vitet 70-të, në fund të viteve 80-të dhe në gjysmën e parë të viteve 90-të, me trajnerë si Rinus Mishels, Shtefan Kovaç, Johan Krujf apo Luis Van Gal.

Në “Park Olimpik Lione”, Ajaksi nuk e pati të lehtë ndaj një Lioni me më shumë përvojë, edhe pse ndeshja e parë në Amsterdam ishte fituar 4-1. Dolberg kaloi miqtë në epërsi, por i rikthyeri Lakazetë shënoi dy herë dhe Gezal golin e tretë në 81’. Virgever doli me të kuqe për Ajaksin, që u mbajt gjithsesi.

Mançester Junajtid u kthye në një finale europiane për herë të parë pas 6 vjetësh, që nga ajo e Championsit luajtur në kohën e Fergusonit ndaj Barcelonës në “Uembli” (1-3). Zhoze Murinjo po ashtu u kthye për herë të parë në finale pas 7 vjetësh (në 2010 fitoi Championsin me Interin). Në “Old Traford”, Mauran Felaini kaloi vendasit në epërsi në 17’, por Selta luajti fort deri në fund. Mbajti topin mbi 60 për qind, gjuajti më shumë drejt portës, por shënoi vetëm një gol në 85’ me anë të Fakundo Ronkalias. Ndeshja u mbyll me nerva, pasi Bejli dhe Ronkalia u përjashtuan me të kuq.

Sfidanti.al