Mallorca, debutim pozitiv për Kumbullën

Marash Kumbulla debutoi një ditë më parë në ishull në barazimin 1-1 të Mallorca-s përballlë Celta Vigo-s. Ekipi mik kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë me Rueda-n në të 38’ ndërsa vendasit barazuan shifrat 1-1 dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt.

Kjo ndeshje do jetë e veçantë për Kumbullën, i cili u aktivizua në pjesën e dytë kur trajneri vendosi që të ndryshonte edhe skemë. Fakti që Kumbulla ishte pikërisht një dëshirë e Jagoba Arrasate kuptohet lehtë nga fjalët e vetë teknikut në fund të këtij takimi. “Kumbulla bën gjithçka. Ai fiton duele, mbron mirë në markim një kundër një sulmuesit rivalë dhe për më tepër na jep një dorë në sulm pasi krijon shumë situata të rrezikshme në goditjet standarde”, analizoi Jagoba Arrasate.

Përpara gazetarëve në fund të ndeshjes u ndal edhe vetë Kumbulla, i cili vlerësoi pikën e marrë nga skuadra e tij duke thënë: “Ishte një ndeshje e vështirë për ne, por mënyra si barazuam në fund na jep shumë autostimë për të ardhmen. Nuk duhet të harrojmë se përballë kishim një ekip të fortë”. Mes të tjerash 25-vjeçari tregoi se kishte rrezerva për stadiumin “Son Moix”: “Më duhet ta pranoj se edhe kushtet e fushës nuk ishin aspak të favorshme. Bari ishte shumë i thatë”.

sfidanti.al