Dy sezone më parë u eleminuan në mënyrën më të pamenduar të mundshme, pas fitores 4-0 ndaj Barcelonës në “Park dë Prensis”, vjet u dukën “më të lehtë”, edhe pse kishin marrë Nejmarin e Mbapenë, pasi Reali i mposhti në dy ndeshje, me golaverazhin e përgjithshëm 5-2. Pavarësisht investimeve thuajse të pafundme të presidentit Al Helaifi, Paris SG nuk po arrin të realizoi ëndrrën e tij, të mbërrijë qoftë edhe një herë të vetme në finalen e Championsit.
“Makthi”, shkruajti “L’Ekip” pas eleminimit, ndërsa të gjitha mediat e botës botuan foto me lojtarët e Junajtidit duke festuar, dhe me yjet parizienë të këputur nga dëshpërimi. Mbape, Verrati, Kavani e Bufon nuk dinin si ta mbanin veten, të ndërgjegjshëm se çfarë turpi pësuan duke u eleminuar nga një kundërshtar me 10 mungesa!
Maksimumi i arritur nga Paris SG në Champions, ka qenë çerekfinalja, katër herë radhazi në vitet 2012-2016, falë Edinson Kavanit dhe Zllatan Ibrahimoviçit. Me ikjen e suedezit dhe “plakjen” e uruguajanit, skuadra franceze e ka humbur peshën dhe seriozitetin, madje është kthyer si një prodhues “telenovelash” me historitë e Nejmarit.
Ja pra, që Al Helaifi nuk po mundet t’ia dalë, edhe pse arbitrimi ndaj Barcelonës dy vjet më parë ishte diçka që u duk e qëllimshme, për të mos e lejuar të eleminonte skuadrën e preferuar të kohës, Barcelonën.
Suksesi më i madh parizien i përket brezit të madh të viteve 1990-të me Zhorzh Ueahn, David Zhinolanë apo Juri Zhorkaefin, që arriti në gjysmëfinalen e Championsit në 1995, dhe fitoi Kupën e Kupave të Europës një sezon më vonë. Edhe atëherë, Parisi ishte i pasur, por jo me bankat plot si tani.
Shpenzimet e sheikëve kanë qenë gati 1.2 miliardë euro, por nuk kanë sjellë “pushtimin” e Europës.
Sfidanti.al