Kur shënohen gola të tillë, ata quhen të markës “euro”. Emre Xhan realizoi pikërisht kështu, me një roveshatë spektakolare duke vulosur fitoren e Liverpulit në fushën e Uatfordit dhe duke e afruar një hap më shumë ekipin e tij me Ligën e Kampionëve. Të kuqtë e Jurgen Klopit kanë 69 pikë pas 35 ndeshjeve, ndaj 66 të Mançester Sitit e 65 të Mançester Junajtidit që kanë luajtur nga një ndeshje më pak.
Liverpuli e meritoi fitoren, edhe pse nuk ishte një nga ndeshjet më të bukura për t’u parë. Të besuarit e Klopit gjuajtën 13 herë në portën kundërshtare, ndaj 8 gjuajtjeve që pësuan. Nga këto, 8 gjuajtje të të kuqve ishin të rrezikshme, ndërsa Uatfordi pati vetëm 3. Liverpuli sulmoi 48 herë rrezikshëm ndaj 27 të vendasve.
Duhen edhe 3 ndeshje për liverpulasit që të kthehen më në fund në Champions, aty ku kanë vite pa shkelur, dhe nëse do t’ia dalin, do të jetë një mrekulli e trajnerit gjerman. As Konte, as Poçetino, as Guardiola, Murinjo apo Venger nuk dalin në fushë me këtë formacion: Minjole, Klajn, Matip, Lovren, Milner, Xhan, Lukas, Vajnaldum, Firmino, Origi (Starrixh), Kutinjo (Lalana (Klavan)).
Sfidanti.al