Liverpuli kalon “digën” Totenhem me stil kampioni, +6 nga Siti!

Ishte njëlloj si vjet, veçse ndodhi në fazën e parë. Liverpuli u vu në pozitë të vështirë përballë Totenhemit në “Anfild” dhe iu desh të gjente forcat e fundit për të fituar, diçka që në mbyllje arriti ta bënte. Përfundoi 2-1 për të kuqtë sfida e javës së 10-të, dhe diferenca e pikëve me Mançester Sitin e vendit të dytë u ruajt në 6 pikë. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, të besuarit e Pep Guardiolës do të kishin qenë në 4 pikë largësi të paktën, një afrim i frikshëm në vetëm dy ndeshje. Një javë më parë, Liverpuli barazoi 1-1 në fushën e Mançester Junajtidit.

Totenhemi kaloi shpejt në epërsi, madje që në minutën e parë, me anë të lojtarit më të mirë, kapitenit Harri Kejn. Gjithsesi, pjesa e parë ishte e gjitha e Liverpulit, që dominoi totalisht, krijoi raste, sulmoi gjatë gjithë kohës, duke qenë agresiv e duke mbajtur topin në zotërim thuajse pa ndërprerje. Përmbysja do të vinte pas pushimit, por kushtet për të u krijuan që në 45 minutat e para.

Xhordan Henderson barazoi në minutën e 52-të, me kapitenin që ndoshta nuk ishte më i talentuari, por padyshim i pamposhtshëm në fushë. Këmbëngulja e vendasve dha rezultat për herë të dytë, 16 minuta para fundit kur Serzh Orie rrëzoi në zonë Sadio Manenë, dhe Mohamed Salah nuk gaboi, edhe pse nuk e gjuajti shumë mirë penalltinë. Liverpuli fitoi dhe arriti në 28 pikë, me 9 fitore e vetëm 1 barazim, ndërsa Siti e ndjek me 22 pikë, dy më shumë sesa Leisteri e Çelsi. Një sezon shumë i bukur i Premier Ligës, që do të ketë një tjetër moment të madh dy të diela më vonë, kur djemtë e Guardiolës do të vizitojnë “Anfildin”.

Sfidanti.al