Liverpuli i Klopit po i ngjan shumë Arsenalit të rënë nga vakti të Vengerit!

Simptomat janë të ngjashme, dhe ish-kapiteni i të kuqve nuk gabon. Xhemi Karrager u shpreh në rolin e analistit të futbollit se Liverpuli që u mund në fushën e Brentfordit nuk u duk aspak si një skuadër e Jurgen Klopit. Të kuptohemi, nuk ishte ekipi sipas parimeve dhe filozofisë së trajnerit gjerman, por ishte sipas gjendjes së tanishme të tij. Distafa 1-3 padyshim që i dha fund çdo “ëndrre me sy hapur” për titull, por edhe rrezikoi ndjeshëm kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa Mançester Junajtidi, Njukasëlli, Totenhemi e Çelsi janë gjithashtu në “gjueti”. Për ata që e kanë ndjekur Liverpulin këtë sezon, nuk mundet të ketë shpëtuar fakti se Klopi ka pamje shumë të lodhur, dhe kjo lodhje psiqike dhe fizike e tij padyshim i kalon skuadrës. Kjo duket arsyeja që yje si Salah, Alison, Van Dajk, Aleksandër-Arnold e të tjerë duken si “peshku pa ujë” dhe që Daruin Nunjez nuk po e merr dot veten. Karrageri kërkon që të kuqtë të marrin një mesfushor në janar dhe të shpenzojnë 200 milionë paundë në verë për të pretenduar me gjigandët e Premier Ligës.

Sfidanti.al