Tifozët e të kuqve nuk ia morën ndonjë kori për largimin e trajnerit, siç bënë juventinët një ditë më parë. Gjithsesi, edhe besnikët më të mëdhenj të Liverpulit e pyetën mirë veten, pas katastrofës në fushën e Brajtonit, se mos vallë epoka e Jurgen Klopit kishte arritur fundin! Humbja e rëndë në Premier Ligë ishte pika më e ulët e këtij sezoni, ndoshta më e keqe se humbja 2-7 në “Vila Park” nja dy vjet më parë dhe analistët kanë hapur librin e kritikave: Mbrojtja është fatkeqësi, Liverpuli është i dorëzuar, i lodhur, Klopi është i rraskapitur, shumë nga yjet janë të vjetër e të shtrydhur. Edhe mundet, por nuk është hera e parë që një skuadër e madhe dhe një trajner i shquar bie kaq poshtë.
Në 23 shtator 1989, Mançester Junajtidi i Aleks Fergusonit (Sër do të bëhej më vonë) pësoi një disfatë të madhe në stadiumin e rivalëve të Sitit, “Mein Roud” (Maine Road). Përfundoi 5-1 mes sherrit të tifozëve, dhe u dëgjuan thirrjet “Fergusoni jashtë”. Atë sezoni, “djajtë e kuq” përfunduan në vend të 11-të, ndonëse nuk bënte ndonjë diferencë të madhe sepse skuadrat angleze ishin përjashtuar nga kupat e Europës që në 1985. Gjithsesi, në “Old Traford” e duruan skocezin dhe ai solli më pas trofe si asnjë trajner tjetër në botë para dhe pas tij.
Besohet se edhe Liverpuli do ta ketë durimin, ndonëse viti duket i humbur, të paktën në Angli. Në Brajton, Soli Març shënoi dy herë në nisje të pjesës së dytë, ndërsa ish-lojtari i Man. Junajtidit, Dani Uelbek, shënoi të tretin pak minuta para fundit. Brajtoni i kaloi të kuqtë në renditje, ndërsa skuadra e Klopit pritet ta ketë tepër të vështirë edhe kualifikimin në Champions këtë sezon. Në një kampionat ku Arsenali, Siti, Junajtidi, Njukasëlli, por edhe Totenhemi duken të fortë, nuk do të jetë e lehtë të arrihet as ai objektiv.
Sfidanti.al