Liverpuli fiton Championsin për Klopin, Totenhemi i pafat!

Ndodh që një fitore arrihet në emër të dështimeve të hidhura të së kaluarës. Liverpuli fitoi Championsin e 6-të në histori, një vit pas humbjes së hidhur ndaj Realit në Kiev, por sidomos i dha nderin që i takon trajnerit të tij, Jurgen Klopit, pas 6 finaleve të humbura radhazi. Nëse suksesi 2-0 në Madrid ndaj Totenhemit ishte jo i drejtë për atë që dhanë skuadrat në fushën e lojës, nëse e shikon më gjerë, duket tërësisht i duhuri. Fatkeqësisht, kjo ndodhi në dëm të një skuadre të shkëlqyer si Totenhemi dhe një trajneri me të vërtetë të madh si Maurisio Poçetino.

Mohamed Salah shënoi me penallti që në minutën e 2-të, pas një penalltie të dyshimtë, ndërsa zëvendësuesi Divok Origi dha goditjen përfundimitare në skajin tjetër, 3 minuta para fundit. Në 85 minuta të lojës së rregullt dhe 2 minuta shtesë, mes dy golave, skuadra më e mirë në “Uanda Metropolitano” ishte Totenhemi, sidomos pas pushimit. Son, Lukas dhe Eriksen u ndalën nga portieri i shkëlqyer Alison, ndërsa Spërsat zotëruan mesfushën. Këtë e tregon fakti se londinezët zotëruan topin 65 për qind, dhe patën 8 gjuajtje në kuadrat ndaj 3 të Liverpulit.

Gjithsesi, të kuqtë u mbështetën tek dy lojtarë të prapavijës, krejt ndryshe nga filozofia normale e Klopit. Alison Beker në portë dhe Virgil Van Dajk në qendër të mbrojtjes ishin kolosët që ndaluan Totenhemin të shënonte, një përforcim i madh në krahasim me finalen e vjetshme në Kiev, kur portieri Karius bëri dy gabime që sollën dy gola të Realit. Finalja e gjitha angleze në Madrid nuk ishte ajo që pritej, por duket se për Klopin rëndësi këtë herë kishte fitorja. Tashmë, vetëm Reali (13) dhe Milani (7) kanë më shumë Champions sesa Liverpuli, ndërsa Klopi e fitoi të parin, dhe mund të synojë edhe më shumë.

Sfidanti.al