“Mos vallë steka është pak si shumë lart?” Kjo ishte pyetja që bëri trajneri Kristof Galtie 28 marsin e kaluar kur skuadra e tij humbi logjikshëm në shtëpi me Nimën (1-2). Katër ditë më vonë, Lila u mposht 0-3 në fushën e Paris SG në Kupën e Francës, një humbje që Galtie nuk qe në gjendje ta shpjegonte, dhe u mendua se ecuria triumfale e ekipit të Veriut të Francës kishte marrë fund. Jo, përkundrazi, “liluasët” (liloisse) nuk hoqën dorë, u ngjitën sërish në krye dhe mbeten pretendentët kryesorë për titullin, por barazimi 0-0 në shtëpi me Sent Etienin nuk i ndihmon aspak. Galtie e kishte paralajmëruar që pas fitores 3-0 në derbin e Veriut ndaj Lensit, se “ia kam frikën sidomos ndeshjes me Sent Etienin”. Kështu ndodhi dhe Lila nuk meritoi të fitonte sepse luajti dobët. Në ndeshjen e fundit, në 23 maj, në orën 21:00, Lila do të luajë në fushën e Anzherit dhe do të duhet të fitojë, gjithnjë nëse Paris SG ia del.
PSG mundi 4-0 Reimsin, falë Nejmarit, Mbapesë, Markinjosit dhe Moise Kinit. Parizienët do të kenë një javë të vështirë pasi të mërkurën luajnë finalen e Kupës së Francës ndaj Monakos, ndoshta mundësia e vetme për një titull të rëndësishëm këtë sezon, ndërsa të dielën zhvillojnë ndeshjen e fundit në Ligën e Parë në fushën e Brestit.
Sfidanti.al