Ku mund të gjesh në botën monotone të NBA-së një emocion kaq të fuqishëm sa ai që të jep arritja e synimit në sekondët e fundit? Nuk flasim për arritjen e një fitoreje, sepse në NBA ka emocione plot me koshat që shënohen ndërsa bie sirena, por për arritjen e madhe kur shkon në Champions, në Ligën e Europës, apo kur shmang rënien nga kategoria. Ku mund ta gjesh në Superligën e propozuar të Europës, nga pasunarët e topkëmbës, një krenari kaq të madhe sa ajo që tregoi Uest Bromi përballë Liverpulit, që edhe pse ishte i rënë nga kategoria luftoi deri në fraksionin e fundit të lojës, jo për t’i prishur ëndrrën Liverpulit, por për të bërë të ndihen me dinjitet tifozët e tyre që nuk ishin fare në stadium, dhe për të ndjerë më shumë respekt për veten?
Portieri Alison mbajti gjallë shpresat e të kuqve për një vend në Champions, me golin e shënuar në minutën e 95-të, pra në të pestën shtesë, dhe ishte gol i shënuar nga një portier! Sezoni i çmendur i këtij Liverpuli nuk mund të kishte mënyrë tjetër për t’iu afruar fundit sesa kështu. “Çmeritje, – tha trajneri Jurgen Klop, – kjo është një fjalë e mirë për të përshkruar se çfarë ndodhi. Ishte një ndeshje shumë e mirë dhe spektakolare. Ishte një kulm dhe shpresoj të kemi sërish kohë për një kulm tjetër këtë sezon. Një fitore e tillë ishte me të vërtetë e veçantë. Nuk besoj se mund të ndihem më i lumtur se kaq. Ishte goli më i bukur i shënuar ndonjëherë nga një portier, sikur të ishte një sulmues”. Klopi theksoi se Liverpuli ishte i qetë dhe me dëshirë të madhe, ndërsa 3 rastet më të pastër i pati në 5 minutat e fundit”. Liverpuli ka 63 pikë në 36 ndeshje (golat 63-42), Çelsi ka 64 në 36 ndeshje (55-33) dhe Leisteri ka 66 pikë në 36 (65-44).
Sfidanti.al