Lila e ka seriozisht, PSG më lehtë fiton Championsin sesa kampionatin

Pas suksesit madhështor në “Park dë Prensis”, ja ku erdhi fitorja e radhës. Kryesuesja e Ligës së Parë të Francës, Lila, triumfoi 2-0 në fushën e Mecit duke u shkëputur në 6 pikë nga Paris SG, ndonëse kampionët kanë një ndeshje më pak të luajtur. Ishte shumë e vështirë të merreshin tri pikët dhe u desh heroizmi i portierit Mainjan (Maignan) që priti penallti në minutën e 17-të. Pas pushimit veterani Burak Jilmaz dhe Zeki Çelik shënuan në minutat 60-të e 89’-të për të siguruar fitoren dhe për t’iu afruar më shumë titullit që ka 10 vjet që nuk e fiton. Lila ka 69 pikë në 32 ndeshje ndaj 63 të PSG-së në 31, por parizienët do të luajnë në fushën e Strasburgut të lodhur pas duelit me Bajernin në Champions dhe me shumë mungesa. Duket se të besuarit e Maurisio Poçetinos kanë më shumë shanse të fitojnë Ligën e Kampionëve sesa ligën franceze.

Sfidanti.al