Liga e Konferencës, Laçi mbijeton në Moldavi dhe tani është favorit!

Më e vështirë se kaq nuk mund të ishte, por sërish dolën “gjallë”. Kështu thuhet kur mbijeton në një ndeshje skajshmërisht të vështirë dhe kur merr me vete një rezultat pozitiv. Kësaj ia doli Laçi, që vuajti jashtë mase në fushën e Petrokubit të Hinçeshtit në Moldavi duke barazuar 0-0 e duke qenë tani favorit për të kaluar në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro luajti në stadiumin e Zimbus në kryeqytetin Çisinau, sepse impianti i Petrokubit nuk i plotëson standardet e UEFA-s, dhe u ndodh në inferioritet numerik që në 28’. Sebastian Spahiu, njëri nga lojtarët më të mirë të kurbinasve, mori të verdhin e dytë krejt të pafat dhe u përjashtua nga gjyqtari polak, Jakubik. Kjo e bëri situatën shumë të vështirë, dhe ekipi shqiptar thuajse u mbrojt gjatë gjithë kohës, duke mos mundur të zbatonte planin për të luajtur fort në kundërsulm.

Rastet e vendasve ishin të shumta dhe për hir të së vërtetës, Petrokubi meritonte të fitonte, por mbrojtja kurbinase dhe portieri Dajsinani u treguan të pakalueshëm. Hera-herës, sidoqoftë, patën nevojë edhe për fatin. Laçi iu afrua shumë rrallë portës kundërshtare, ku njeriu kryesor ishte Mentor Mazrekaj, lojtari më i talentuar dhe organizatori, duke krijuar edhe mundësi për gol. Ndeshja e kthimit luhet të enjten tjetër, në 28 korrik në orën 20:00 “Elbasan Arenë”, ndërsa një raund më parë kurbinasit eliminuan Iskrën e Danilovgradit nga Mali i Zi.

Sfidanti.al