Armando Sadiku humbi një mundësi për të qenë në fushë dhe për të siguruar grumbullimin në kombëtare për ndeshjen ndaj Izraelit. Sulmuesi kuqezi nuk ishte as në stol për Zyrihun në ndeshjen e Ligës së Europës, luajtur në fushën e vet ndaj Steauas. Përfundoi 0-0 dhe Sadiku ende nuk u gjykua gati, ndaj i mbetet vetëm fundjava si shans për t’u thirrur nga De Biazi për ndeshjen e Botërorit në 12 nëntor. Nëse nuk aktivizohet as në kampionat, vështirë të jetë. Në fushë për Zyrihun, Burim Kukeli, që luajti gjatë gjithë kohës.
Aktivizim për lojtarët e tjerë të kombëtares. Ergys Kaçe ishte titullar për Viktorian e Plzenit, që barazoi 1-1 në Rumani ndaj Astrës. Mesfushori u zëvendësua në 62’.
Kapiteni i përfaqësueses, Ansi Agolli, luajti që nga minuta e parë për Karabakun dhe doli fitues (1-0) në fushën e PAOK-ut në Selanik. Mbrojtësi i majtë luajti deri në fund.
Pas përballjeve të katërta në grupe, katër skuadra u kualifikuan për në turin e dytë. Këto janë Shalke, Shahtar, Zenit si të parët në grupe, si dhe Ajaksi. Shalke fitoi 2-0 me Krasnodarin rus, Zeniti kaloi 2-1 irlandezët e Dundalkut, Shahtari fitoi 5-3 në Belgjikë me Gentin, dhe Ajaksi ia doli në sfidën e vështirë në Holandë ndaj Seltës, me rezultatin 3-2.
Zhoze Murinjo nuk e ngriti kokën as në Europë. Mançester Junajtid u mund 1-2 në Turqi nga Fenerbahçe, duke mos e shpëtuar dot goli i Uejn Runit në 89’. Junajtid zbriti në vendin e tretë me 6 pikë, ndaj 7 të Fejënordit e Fenerbahçes dhe rrezikon eleminimin.
Në buzë të “greminës” edhe Interi, tashmë pa trajnerin De Bur. Në Angli, u mposht 1-2 nga Sauthemptoni edhe pse shënoi i pari me anë të Ikardit. Van Dajk dhe Nagatomo (autogol) përmbysën shifrat në pjesën e dytë, me Interin që është i fundit në grup, por ende jo i eleminuar.
Në mbrëmjen e katërt në Europa League shkëlqeu sulmuesi bask, Ariz Aduriz, që u bë i pari në historinë e kësaj kupe që shënon 5 gola në një ndeshje. Fitorja ishte 5-3 ndaj Genkut. Nuk pati lavdi, ndërkaq, për Nisën dhe Mario Balotelin. U mundën 0-2 në Francë nga Salcburgu, madje sulmuesi italian mori karton të verdhë.
B. Kuka