Ka pesë gola në Bundesligë në vetëm 3 ndeshje, dhe 7 rrjeta në 4 përballje sezonale. Robert Levandovski duket edhe më në formë sesa dy sezonet e kaluara, kur ishte shënuesi më i mirë i Europës. Me 3 golat e shënuar në portën e Frajburgut këtë të shtunë, polaku kapi kuotën e 282 golave në Bundesligë, duke qenë ende 83 gola prapa rekordit të Gerd Mylerit, por duke iu afruar mesatares së “Bomberit të Kombit” me 0.8 ndaj 0.85 të legjendës së ndjerë. Nëse do të synojë rekordin, do të duhet të luajë edhe 3 sezone të plota.
Levandovski ka 301 gola për Bajernin në vetëm 333 ndeshje, me një mesatare të jashtëzakonshme prej 0.9 golash për ndeshje. Një sulmues me aftësi të mëdha realizuese, ai po i afrohet 500 rrjetave për klubet (aktualisht ka 493), ndërsa në karrierë bashkë me kombëtaren e Polonisë, ndodhet në kuotën 562 realizime. Padyshim një nga sulmuesit më të mirë të historisë, që mund të arrijë pa frikë deri në 700 rrjeta, aty ku janë yjet e “Olimpit” si Bican, Pele, Ronaldo, Mesi, Pushkash, Romario, Fridenrajh.
Sfidanti.al