Paskan qetë të thella punët tek Bajerni, dhe jo vetëm për shkak të veprimeve të drejtuesve si Salihamixhiç apo Kahn. Ngërçi kryesor në ekip paska qenë ai mes yllit numër 1, Robert Levandovski, dhe trajnerit Julian Nagelsman. Mediat gjermane informojnë, dhe ato europiane bëjnë jehonë, se ka pasur një përplasje mes sulmuesit polak dhe Nagelsmanit, kur ky i fundit ka dashur t’i japë këshilla sesi duhet të pozicionet gjatë momenteve kur jepen harkime në zonë. “Jam unë ai që kam shënuar 41 gola në një sezon, dhe jo juve”, – paska qenë përgjigja e Levës, që në shqip përkthehet “hajde baba të të tregoj arat”. Vetë legjenda polake është ankuar për skemat e Nagelsmanit, që ndryshojnë nga ato të paraardhësit të tij, Hansi Flik, dhe që kërkojnë më shumë lojtarë në zonë. Kjo duket se i ngushton hapësirën Levandovskit dhe ia pakëson shanset për gola, edhe pse shënoi 50 herë në 46 ndeshje.
Sfidanti.al