Legjenda Stjepan Bobek dhe gënjeshtrat e “pinokut” Mbape!

Stjepan Bobek sot nuk jeton më, por një nga punët më të mira që mund të bëjë një gazetar sportiv është t’ia kujtojë këtë legjendë lexuesve të tij. Kroati i famshëm la Zagrebin për t’u bërë një legjendë e një klubi serb kur ekzistonte ajo që quhej “Jugosllavia e Dytë” apo “Jugosllavia e Titos”. Bobek, në një version më të madh se Fadil Vokrri, ishte dhe mbetet idhulli i tifozëve të Partizanit të Beogradit, që thonë “i vetmi është Stjepan Bobek”, siç thonë “i vetmi është Fadil Vokrri”. Ai është shënuesi më i mirë në histori i Partizanit me 425 gola në 478 ndeshje, dhe shënuesi më i mirë i kombëtares jugosllave me 38 gola në 63 takime.

Kilian Mbape natyrisht që nuk besohet të dijë se kush është Bobeku, i cili ndonëse nuk i ka pasur kurrë milionat e këtij 18-vjeçari, ka pasur diçka shumë më të madhe, respektin e tifozëve në gjithë ish-Jugosllavinë dhe në gjithë Europën, duke kryer një mision të jashtëzakonshëm “urë lidhëse” mes kombit serb dhe atij kroat, një “urë” që padyshim ka luajtur rol që më pak njerëz të vriteshin sesa mund të vriteshin në luftërat e tmerrshme të viteve 90-të.

Mbape nuk di gjë nga këto, por ai di të gënjejë. “Lojtarët e mëdhenj bëhen të tillë vetëm në vendin e tyre”, – ky ishte justifikimi i tij se përse vendosi të luante për Paris SG dhe jo për Realin e Madridit. Është një lloj fjale e urtë popullore “guri i rëndë në vendin e tij”, veçse Kiliani është nga ata “gurë” që nuk e njohin vendin e tyre dhe nuk janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me asnjë lloj tifozerie në botë. Ai është i lidhur vetëm me interesin e nivelit më të ulët, pa pranuar asnjë lloj sacrifice, diçka që yje si Zidan nuk e kanë bërë kurrë, edhe pse kanë ndërruar shumë skuadra.

Do të kalojnë vitet dhe dekadat, dhe Mbape do t’i varë këpucët në gozhdën më të shkëlqyer që do të gjejë në karrierën e tij. Në ato mote, Bobeku do të ketë padyshim një statujë (por, si ishte Bobek/Bobek ishte burrë”, është vargu i tifozëve për të), ndërsa Mbape vetëm video në “jutjub” (youtube), të cilët ndoshta nuk do të kenë shumë shikime.

Sfidanti.al