Lautaro e Dibala, dy rinovime në rrezik që të mos ndodhin!

Interi e Juventusi ndoshta kanë mendime të ndryshme, por po ashtu edhe futbollistët e përfshirë. Në Itali janë dy yje, e ardhmja e të cilëve mund të mos jetë realiteti që është sot, dhe flasim për Lautaro Martinezin dhe Paulo Dibalën, që të dy argjentinas. Lautaro pati një tërheqje të fortë nga Barcelona gjatë verës, transferim që nuk ndodhi sepse katalanasit nuk i patën paratë, por kjo s’do të thotë se Interi e ka të sigurt. Mediat italiane shkruajnë për bisedime për rinovimin e mundshëm të kontratës së sulmuesit, i cili kërkon një rrogë shumë më të madhe sesa ajo që merr tani. “La Gazeta delo Sport” shkruan se drejtuesit zikaltër, Bepe Marota, ndoshta nuk do t’ia japë gjithë pagën që kërkon, por do t’i ofrojë heqjen ose uljen e klauzolës së transferimit prej 111 milionë eurosh.

Dibala është në pozita edhe më të vështira, pasi nuk ka as sigurinë e Lautaros për të qenë në formacion. Argjentinasi tjetër pati disa muaj shumë të vështirë, u infektua me koronavirus, pastaj pati një ftohje, dhe të gjitha këto u kombinuan me ndërprerjen për shkak të epidemisë. Për momentin, tek Juventusi janë përpara tij Ronaldo e Morata, ndërsa sulmuesi nuk është në një linjë me klubin as për aspektin financiar. Raportohet se agjentët e tij janë kthyer në Argjentinë, ndërsa distanca mes palëve, përsa i përket rrogës, është shumë e madhe.

Sfidanti.al