Laporta tregon pse e shkarkoi Xavin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë shpjegimin më të detajuar deri tani për muajt e tensionuar që çuan në shkarkimin e Xavi Hernandez-it vitin e kaluar. Në një intervistë për Esport3, Laporta tregoi kundërshtitë, mesazhet e përziera dhe shqetësimet që e bindën se ndryshimi në stol ishte i domosdoshëm. Aktualisht, skuadra katalanase drejtohet nga trajneri gjerman Hansi Flick. Xavi kishte njoftuar publikisht në janar të vitit 2024 se do të largohej në fund të sezonit, por vetëm pak javë më vonë ndryshoi mendje.

Sipas Laportës, ky kthim erdhi pas një takimi privat në shtëpinë e tij.

“Xavi e kishte shpallur vetë largimin, duke thënë se do të ikte në fund të sezonit,” tha Laporta.

“Më pas kërkoi të më takonte në shtëpi dhe më shpjegoi se, në të vërtetë, donte të vazhdonte dhe se ndiente nevojën të qëndronte.

I bëra vetëm një pyetje: ‘Xavi, a beson te skuadra?’ Ai u përgjigj: ‘Besoj 100% dhe do t’i bëj këta lojtarë kampionë.’”

Por sipas presidentit, ai besim u zhduk vetëm një javë më vonë, kur trajneri deklaroi publikisht se ekipit do t’i duheshin dy vite për të qenë konkurrues.

“Në një konferencë për shtypin e dëgjova të thoshte se i duheshin dy vite për të qenë kompetitiv. Mendova: ‘Çfarë po ndodh këtu?’”

Dyshimet u shtuan edhe më tej kur Xavi iu afrua drejtorit sportiv, Deco, me ide për ndryshime të mëdha në skuadër. Laporta pranoi se këto biseda e prekën shumë. “Më vonë ai foli me Deco-n për mundësinë e zëvendësimit të disa lojtarëve të ekipit të parë. Ju e dini që kam shumë respekt për Xavi-n, dhe fjalët e tij më prekën thellë. Ne kemi marrë vendime të vështira edhe më herët me Messi-n, Alba-n, Busquets-in, Pique-në, madje edhe me Xavin dhe Koeman-in… por te Barça, institucioni është gjithmonë i pari.Ai është mbi lojtarët, presidentët dhe trajnerët.”