Lamtumirë Saimir Demi! Me stil shkruante, me heshtje ..iku!

Nuk është aspak e lehtë që një fjali ta gërmëzojmë deri në fund kur në mendime qëndron vetëm një gozhdë e mbyrthyer fort pas trurit e nuk e lë të furnizohet me oksigjen. I miri Saimir nuk është më! Ai iku, ashtu në heshtje pa lajmëruar askënd, pa zhurmë, i dorëzuar në fatin e ndeshjes së tij më të rëndësishme, finales që e humbi pas një beteje të vërtetë në muret mike të spitalit ku Bjorni i tij, Albana, Keli dhe njerëzit e dashur, mbanin shpresën se do ta rikthente mes të dashurve, por ndoshta ai fatin e tij e kishte lexuar këtë herë. Shkruante në mënyrë natyrale dhe ndoshta po kaq mjeshtër ishte edhe në lexim e ndoshta prandaj Saimiri jonë i mirë, me qetësi në majë të gishtave u largua duke lënë pas një dhimbje nga ajo që të ther shpirtin. Gazetari i rreshtave të stilizuar, por i disiplinuar deri në vetëmohim në bindjen e tij. Urrente tastierën por dashuronte fletën e bardhë dhe bojën e penës, i fundit i klasikëve por i pakrahasueshëm në stil. Nuk shpiku rrymë por ndoqi parimin e të vërtetës që ai besoi deri në fund duke mos e tradhëtuar asnjëherë profesionin e gazetarit sepse pasioni i tij buronte prej gjenialitetit. Sa e sa herë të gjithë kemi pyetur veten:

Po unë a mund vallë të shkruaj me kaq thjeshtësi dhe stil si Saimiri?

Ndoshta sot të gjithë e kuptojmë që ishte e pamundur sepse Saimiri ishte…është Saimiri dhe askush nuk do të mund ta kopjojë Sajmen që zemrën e kishte bardheblu por ngjyrat kurrë nuk i ngatërronte në penelatën e tij kur ulej e pikturonte tablotë që sot janë “pikturat” e gazetarisë sportive. Uroj që Zoti të të ketë rezervuar një vend të përjetshëm në atë stolin e ngrohtë të gazetarit që këtu tek ne tokësorët ishte shtëpia jote.

 

Nga Pirro Bardhyli