Ishte një rastësi, por mori një domethënie të madhe. Pikërisht, mbrëmjen e së mërkurës së 6 shkurtit, pra pardje, ndërsa Shalke do të luante për Kupën e Gjermanisë ndaj Fortunës së Dyseldorfit, mbërriti lajmi tragjik se ishte menaxheri i saj i përgjithshëm, Rudi Asauer, ishte shuar.
Në “Arena Auf Shalke” u mbajt një minutë zi për nder të kujtimit të njeriut të suksesshëm, që drejtoi punët në klub në kohët më të bukura të “Bluve Mbretërorë”. Futbollistët po ashtu e nderuan me lojën e tyre duke fituar 4-1 e duke u kualifikuar për në çerekfinale.
Asauer ishte menaxher i përgjithshëm i Shalkes në vitet 1981-1986 dhe 1993-2006. Në moshë të re, ishte futbollist me Dortmundin dhe Verderin, në rolin e mbrojtësit. Më pas u bë menaxher i përgjithshëm tek Verderi, e po ashtu tek Shalke.
Në këtë pozicion, fitoi Kupën UEFA në 1997 (në foto), si dhe Kupën e Gjermanisë në 2001 e 2002. Në 2001, humbi titullin në minutën e fundit ndaj Bajernit. Ishte menaxher kur u ndërtua stadiumi i ri “Arena Auf Shalke”.
Asauer do të mbahet mend për imazhin e tij të veçantë, të një njeriu të fortë, të shpenguar, dhe me puron gjithnjë në gojë, aq sa pati nofkën “Rudi Puroja”. Gjithashtu njihej me nofkën tjetër “Maço me zemër të madhe”.
Ai u godit nga sëmundja e Alzheimerit që në moshën 67-vjeçare, dhe nisi të bëhej gjithnjë e më keq, vitet e fundit. Gazetari i “Bildit”, Alfred Draksler, botoi një foto të tijën me Asauerin në mars 2018, dhe shkroi se “Rudi nuk më njohu, dhe unë e ndjeva se nuk do ta shihja më pas kësaj”.
Ai shkroi një elegji për veteranin e futbollit. “Mirupafshim Rudi! – ishin fjalët e tij, – Ti je tani në qiellin mbretëror blu! Ti ishe miku im, shoku im! Një nga lojtarët më të mëdhenj të Gjermanisë vdiq në moshën 74-vjeçare. Ai vdiq në shtëpinë e tij, me vajzën, Betina, pranë tij. Ai ishte një hero i futbollit, si menaxher ai ishte një që mbaronte punë. Ai ishte “maçoja” i fundit i Bundesligës”.
Sfidanti.al