Lamine Yamal vazhdon të konfirmohet si një nga talentet më premtues të Barcelonës. Në barazimin spektakolar 3–3 ndaj Bruges, sulmuesi 18-vjeçar ishte më i dalluari në fushë, duke marrë përgjegjësi në momentet më të vështira dhe duke qenë rreziku kryesor për portën belge. “Kam një ndjenjë të përzier, – tha ai pas ndeshjes. – Donim fitoren dhe tri pikët, sepse jemi Barça dhe duhet të fitojmë gjithmonë. Tani përqendrimi ynë kalon te kampionati”.
Yamal pranoi se ndeshja kishte qenë e vështirë në çdo aspekt: “E dinim që Bruges është një skuadër e fortë dhe që fushat në këtë kompeticion janë të ndërlikuara. Kur pëson tre gola, është e vështirë të fitosh, ndaj duhet të përmirësohemi në mbrojtje”. Për golin e bukur që shënoi, ai tregoi momentin: “Aksioni ishte shumë i shpejtë, Fermín më la topin me thembër dhe unë nuk mendova dy herë. Më vjen keq që nuk solli fitoren, por do të përpiqemi ta bëjmë në ndeshjen tjetër”. Kur iu përmend ngjashmëria me Lionel Messin, talenti i rritur në La Masia u përgjigj me pjekuri të rrallë: “Nuk mund të krahasohem me Messin. Ai ka shënuar qindra gola si ky. Unë duhet të ndjek rrugën time dhe të vazhdoj të punoj çdo ditë për t’u përmirësuar”. Në fund, Yamal foli edhe për vërshëllimat e tifozëve belgë: “Nuk më shqetëson. E di pse ndodh, sepse po luaj mirë. Në fakt, kjo më motivon edhe më shumë”.
sfidanti.al

