La Liga, Muriqi “Lojtari i muajit”

Vedat Muriqi mori sot çmimin që i shkon lojtarit të muajit në La Liga. Sulmuesi i Mallorca-s po kalon një moment të artë të karrierës së tij pasi ka arritur që të shënojë plot 14 gola për ekipin ishullor. Edhe pse e konsiderojnë si njërin prej lojtarëve, të cilët mund të konkurojnë Mbappé-n për këpucën e artë, vetë sulmuesi dardan del nga kjo garë dhe pranon se do të festonte në fund të sezonit nëse do qëndronte i dyti në këtë klasifikim të veçantë.

Në një intervistë të dhënë për “IB3” ka lënë mënjanë diplomacinë dhe u ka bërë thirrje drejtuesve të klubit që të ndryshojnë diçka në organikën e skuadrën pasi sipas tij Mallorca ka nevojë të futet në merkato.

“Nuk kam asnjë dyshim mbi faktin se Mallorca do të qëndrojë në La Liga. Tifozët kanë të drejtë që na kritikojnë, por u them të gjithëve se nuk është momenti për t’u dorëzuar. Si ne, lojtarët, edhe tifozët nuk duhet që të heqim dorë tani. Duhet që të qëndrojmë së bashku me drejtuesit dhe secili të bëjë pjesën e vet pasi vetëm kështu do të shikojmë dritë në fund të tunelit”, tha Muriqi, i cili feston sot një përvjetor të veçantë, pasi u transferua në Mallorca në 31 janar të 2021-it.

Fakti që përmendi drejtuesit bëri që gazetari të pyeste Muriqin, nëse skuadra kishte nevojë për të hyrë në merkato. “Kemi nevojë për përforcime dhe shikoj se jemi vonë në këtë drejtim, duhet të kishim sjellë lojtarë më herët, kemi nevojë për futbollistë me përvojë, jemi në një moment kur kemi nevojë për njerëz që kanë kaluar dhe jetuar këto ditë në karrierën e tyre”, u përgjigj Muriqi.

Një tjetër argument interesant ishte edhe ai sa i përket këpucës së artë në La Liga. Muriqi më 14 golat e tij është sulmuesi që i “kërcënon” fronin Kylian Mbappé, i cili është në kuotën e 21 golave të shënuar. “E pamundur që të konkurosh me një lojtar si Kylian Mbappé. Ai i përket një bote tjetër, për mua do të ishte fitore nëse do ta mbyllja sezonin në pozicionin ku jam tani. Në rast se dal i dyti në renditjen e golashënuesve të La Liga do të festoj si të isha i pari”, u përgjigj Muriqi.