Ky Napoli bëhet edhe më i bukur sepse fiton me ndihmën e stolit!

Mauricio Sarri, Xhenaro Gatuzo e Karlo Ançeloti si dhe vetë Luçiano Spaleti sezonin e kaluar, vuajtën pikërisht mungesën e alternativave. Napoli nuk arriti kurrë të ishte sfidues i denjë i Juventusit, Interit apo Milanit për shkak se stoli ishte i mangët, por duket se këtë sezon është ndryshe. Fitorja 4-1 ndaj Kremonezes ishte e bukur, jo edhe aq për lojën bindëse, por sepse u arrit me ndihmën e stolit. Në pjesën e dytë hynë Simeone, Zielinski, Lonzao, Ostigard dhe Oliveira që ndihmuan shumë.

Politano shënoi me penallti, edhe pse nuk shkëlqeu. Zhovani Simeone realizoi në 76’ dhe ishte më i miri në fushë, ndërsa Hirving Lozano dhe Matias Oliveira i dhanë napolitanëve një fitore me shifra të gënjeshtërta, 4-1, kur deri çerek ore para fundit ishin në 1-1. Napoli ka 23 pikë duke vazhduar marshimin e tij këtë sezon, e duke pasur vetëm 2 barazime si dhe 7 fitore. Atalanta ka 21 pikë, Udineze e Milani nga 20. Golaverazhi 22-7 tregon shumë, pasi ka diferencë me ekipet e tjerë të Serisë A, me +15, ndërsa Atalanta është në +9, po aq sa Udineze dhe Milani. Vetë Lacio e Sarrit është më pranë me +12.

Sfidanti.al