Kush tha që e djathta e Mesit nuk bën? E provoi Leganjesi

Kur trajneri Ernesto Valverde vendosi ta linte në stol, mediat spanjolle theksuan se Barcelona nuk ka fituar asnjë nga dy ndeshjet e këtij sezoni, kur kjo gjë ka ndodhur. Mesi nuk mjafton për katalanasit si zëvendësues, por ajo që ndodhi ndaj Leganjesit tregoi se statistikat edhe mund të rishkruhen.

Superylli i Barçës hyri në fushë në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1, dhe diferenca nga Atletiko jo aq siguruese sa më parë. Argjentinasit i mjaftuan edhe 30 minuta për të zgjidhur një ndeshje të komplikuar. Leganjesi barazoi papritur në 57’ me anë të Breithuejtit, në aksionin e parë sulmues në “Kamp Nou”. Vendasit, që kishin kaluar në epërsi me Dembelenë në 32’, dhe kishim pasur epërsi, sikur u tronditën.

Jo Mesi, gjithsesi. Numri 10 krijoi golin e Luis Suarezit në 74’, dhe realizoi rrjetën e sigurisë në minutën e dytë shtesë, me këmbën e tij të djathtë, atë që thuhet se nuk e ka edhe aq të mirë. Leganjesit, padyshim, nuk iu duk ashtu.

Ishte goli numër 401 i tij në La Liga, i 18-ti në kampionat këtë sezon, në 18 ndeshje, dhe i 25-ti në total në edicion, në 24 ndeshje. Një vit sportiv sërish i madh i Mesit, edhe pse tashmë është 31 vjeç. Barcelona kryeson La Ligën me 46 pikë (56-21 golat) ndaj Atletikos me 41 (30-13) dhe Realit me 36 (30-24).

Sfidanti.al