Kur prokuroria shqiptare mbetet deri në fund tifoze!

Prokuroria shqiptare vendosi të pezullonte hetimet për Skënderbeun dhe të kërkonte ndihmë nga jashtë. Gjysma e parë e fjalisë të duket si një refren i vjetër, i luajtur për 27 vjet në Shqipëri, dhe brenda normales, kur prokurorë, gjykatës apo drejtues futbolli janë edhe shokë, edhe patriotë, dhe shpesh partnerë në biznes.

Prokuroria paska shpenzuar 2 vjet për hetime dhe megjithë mjetet e shumta që ka pasur në dispozicion nuk ia ka dalë të zbulojë gjë, ndonëse flitet për shumë e shumë ndeshje të dyshuara si të trukuara nga Skënderbeu. Ndryshimi nga Llalla tek Marku deri tani është minimal, ndonëse në vendimin e prokurorisë ekziston edhe gjysma e dytë e fjalisë, ajo që do të kërkohet ndihmë nga jashtë. Dhe kur kërkohet ndihmë nga jashtë, ndodh që ke edhe rezultate.

Nuk është se prokuroria shqiptare nuk është e zonja për të hetuar e për të gjetur prova, e kundërta është e vërtetë. Në mendjen e çdo qytetari të këtij vendi shkon më parë mendimi se prokurorët ose nuk kanë dashur, ose nuk kanë mundur për arsye të tjera, “objektive” që të bëjnë detyrën. Mjafton të kujtojmë raportin e UEFA-s, që akuzoi policinë dhe prokurorinë tonë se nuk bashkëpunoi në hetimin e saj për Skënderbeun. Gjithsesi, të shohim se çfarë do të dalë nga gjysma e dytë e fjalisë në vendimin e prokurorisë sonë.

Sfidanti.al