Kur i mbushet mendja, Bajerni e bën si “burrat” edhe ndaj më të fortëve!

Pati përballë një ekip modest, por që në momentin e daljes në fushë ishte në renditje mbi të. Bajerni ishte prapa Frajburgut në Bundesligë, por fitorja 5-0 në “Alianc Arenë” ishte nga ato që i bëri njerëzit të mendonin se kur bavarezët vendosin të luajnë “si burrat” nuk e kanë problem të shkatërrojnë edhe rivalët më të fortë. Papritur, “retë” janë larguar për ekipin e trajnerit Julian Nagelsman, dhe në “qiell ka dalë sërish dielli”. Suksesi ishte kumbues me gola të Serg Gnabrisë, Çupo-Motingut, Sanesë, Manesë dhe Zabicerit. Mediat bavareze shkruajnë se kjo “orkestër” e kishte “dirigjentin” e saj dhe ky ishte Leroi Sane. Po ashtu, të shkëlqyer Gnabri, Musiala, Mane, por padyshim Tomas Myleri, “me të cilin Bajerni fiton 10”, siç shkruajnë me dashuri gazetat në Mynih. Bajerni është në vend të dytë në renditje e Bundesligës me 19 pikë, i lënë pas vetëm nga e papritura e madhe që quhet Unioni i Berlinit dhe që ka 23. Kryeqytetasit konfirmuan veten duke mundur edhe Dortmundin.

Sfidanti.al