Kur do të kthehet në fushë Gjimshiti, këtë të shtunë apo pas 20 ditëve?!

Dëmtimi ishte serioz dhe mungesa pritej e gjatë. Gjithsesi, Berat Gjimshiti, mendohet se po i afrohet fundit të kalvarit dhe shpejt do ta shohim në fushë. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare u dëmtua në ndeshjen e Atalantës ndaj Milanit në 28 gusht në Serinë A në Bergamo, ndërsa procesi i riaftësimit zgjati jo pak. Gjithsesi, prej disa kohësh futbollisti nga Kosova është kthyer në stërvitje individuale dhe shpresa është që të jetë në krah të shokëve tepër shpejt. Gjimshiti shpreson që të kthehet këtë të shtunë të 15 tetorit për ndeshjen ndaj Sasuolos, siç aludojnë disa media në Itali.

Gjithsesi, sipas të përditshmes “L’Eko di Bergamo” është ende shpejt për të qenë kaq optimistë, ndërsa ai ka një muaj e gjysmë që nuk luan duke humbur edhe dy ndeshjet e kombëtares në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës. Pas ka humbur rreth 45 ditë, mendohet se trajneri Gasperini nuk do të nxitohet dhe mund të presë edhe një javë apo dy përpara sesa t’i japë minutazh. Sidoqoftë, kjo do të thotë se Gjimshiti mund të jetë në formën e duhur për dy miqësoret e kombëtares ndaj Italisë dhe Arabisë Saudite në nëntor.

Sfidanti.al