Nuk mjaftoi goli i Edinson Kavanit dhe as prania e Kilian Mbapesë. Sherret për Nejmarin duket se e kanë dëmtuar rëndë Paris SG, që provoi një humbje të hidhur në ndeshjen e Ligës së Parë të Francës, 1-2 në fushën e Renës. Fituesit e Kupës së Francës, që mundën në finale pikërisht PSG-në, u hakmorrën për humbjen në Superkupë, duke përmbysur rezultatin, të “dirigjuar” nga i shkëlqyeri Kamavinja.
Regjisori 16-vjeçar pati 100 për qind pasime të sakta, përfshi edhe atë për golin e fitores. Madje, goli i avantazhit të Parisit, shënuar nga Kavani, erdhi në kundërshtim me rrjedhën e lojës që po dominohej nga vendasit. Kavani fillimisht përkëdheli shtyllën, e më pas përfitoi nga një gabim i kapitenit Da Silva për të realizuar rrjetën e tij të zakonshme. Kur Mbape gaboi, Rena e falenderoi dhe shfrytëzoi momentin. Niang, shërbyer nga Traore, barazoi në minutën e parafundit të pjesës së parë. Menjëherë në pjesën e dytë, bretonët kaluan në avantazh dhe mbajtën rezultatin deri në fund. Nejmari padyshim që ka prishur punë për PSG-në, por nëse do të ishte në fushë, ndoshta do të ishte ndryshe.
Sfidanti.al