Ku duket “rënia” e Murinjos? Tek rroga shumë më e vogël tek Roma

Kuptohet sërish do të jetë një rrogë shumë e madhe, një nga më të rëndësishmet ndër trajnerët e futbollit, por përfaqëson një zbritje të madhe nga standardet me të cilat ishte mësuar. Zhoze Murinjo do të paguhet me 7 milionë euro në sezon tek Roma, duke pranuar një zbritje të rëndësishme në krahasim me rrogën që merrte tek Totenhemi në Angli, prej 11.5 milionë eurosh. Kjo është hera e parë që ai zbret kaq shumë që nga fillimet e karrierës kur fitonte 5 milionë paundë stërlina tek Çelsi në 2004 (9 milionë USD në atë kohë). Gjithsesi, duhet theksuar se niveli financiar i asaj kohe në futboll ishte shumë më poshtë sesa sot. Tek Interi, Murinjo arriti në 9.5 milionë euro në sezon, ndërsa tek Reali kapi një kulm prej 14.8 milionë eurosh në vit. Kthimi tek Çelsi në 2014 u shoqërua me një pagesë serioze, edhe pse më të vogël sesa në Madrid, 8.5 milionë paundë stërlina, afërsisht 10 milionë euro. Mançester Junajtid në 2016 i dha portugezit rrogën më të lartë në karrierë, plot 15 milionë paundë stërlina, që do të thotë afërsisht 19.5 milionë euro.

Sfidanti.al