Bajerni po kalon momentet e tij më të vështira të sezonit, ndërsa trajneri i tij tashmë i shquar po ndjen vështirësi edhe më të mëdha. Hansi Flik jo vetëm që u desh të përballonte efektin e barazimit 1-1 në “Alianc Arena” ndaj Unionit të Berlinit, por sidomos presionin e konferencës për shtyp për televizionin “Skaj Sports”. Ai u pyet se cila do të jetë e ardhmja e tij, pra nëse do të vazhdojë tek Bajerni apo do të shkojë në ekipin kombëtar.
Tri herë me radhë, Fliku u përgjigj “pyetja tjetër”, duke folur prerë, pra duke mos dashur të komentonte për këtë temë. Më përpara ai sqaroi se “detyra ime është që të përqëndrohem tek ekipi, ju e shikoni se çfarë po ndodh, sepse ne kemi 9 lojtarë mangut dhe po luftojmë për të fituar titullin dhe për t’u kualifikuar për në gjysmëfinalen e Championsit”. Gjithsesi, gazetari i “Skaj Sportsit” këmbënguli duke i bërë një pyetje interesante.
“Përse e keni kaq të vështirë të thoni se do të vazhdoni tek Bajerni”, – tha ai, veçse Fliku u përgjigj “pyetja tjetër”. Eksperti televiziv, ish-lojtari i Bajernit, Ditmar Haman, deklaroi se “diçka duhet të ndodhë në Mynih, pasi nuk është normale tek Bajerni që çështjet të zgjidhen me përgjigjen “pyetja tjetër””. Në të vërtetë, pyetjet e tjera për Flikun janë gati, ndërsa “Bildi” njofton se pas ndeshjes së dytë me Paris SG, do të ketë një takim mes trajnerit dhe anëtarit të bordit, Oliver Kahn. Bavarezët barazuan 1-1 me Unionin e Berlinit në javën e 28-të, ndërsa Lajpcigu fitoi 4-1 në fushën e Verderit. Diferenca është 5 pikë në favor të kampionëve dhe kryesuesve.
Sfidanti.al