Kristiano Ronaldo, sërish në versionin “doni më për Belulin?”

Nuk mjaftoi intervista “pa doreza”, por edhe pa kripë që dha kur fitoi Topin e Artë! Kristiano Ronaldo e luajti edhe një herë “skeçin” e tij “A doni më për Belulin”, duke i ngritur një përmendore madhështore vetvetes, në intervistën për sponsorin e tij, “Najk”.

“Askush nuk mund të krahasohet me mua, – janë fjalët modeste të Kristianos, – kurrë më, nuk do të ketë një Kristiano Ronaldo”. Besohet as ata që njihen si profetë, dhe as Nostradamusi nuk ia kanë lejuar vetes të jenë kaq të patundur në parashikimet e tyre, por CR7-ta është që është.

“Që kur isha fare i ri u thoja shokëve se doja të bëhesha më i miri në botë, – vazhdon ai me “a doni më”, – kur shkova tek Junajtidi pashë se nuk kishte shumë njerëz me talentin tim, përkushtimin tim, sforcimin tim në punë, etikën time futbollistike”. Ku i dihet, ndoshta iu mbushën sytë me lot numrit 7 nga lavdërimet për veten.

Për këtë Ronaldo do të duhet të kujtohen vetëm pak gjëra. Së pari, as Di Stefano, Pele apo Maradona, kurrë nuk u mburrën lart e poshtë se ishin më të mirët, por ishin të tjerët që i mburrën ata. Lionel Mesi kurrë nuk ka nxjerrë nga goja fjalë se është më i miri, ndonëse të gjithë e dinë se ai ËSHTË më i MIRI.

Dhe, së fundi, si mund t’u dalë para syve shokëve të tij të shkëlqyer tek Reali, si Ramos, Modriç, Kros, Bejl apo Isko, të cilët e ndihmuan të fitonte trofetë e fundit, pasi portugezi ishte kthyer thjesht në një qendërsulmues?

Sfidanti.al