Pas një periudhe shumë të vështirë, dhe në fund të suksesshme, mund të vijë një moment që “bateritë” të jenë të zbrazura. Masimiliano Alegri thotë se kjo ishte pikërisht ajo që i ndodhi Juventusit në ndeshjen “e mundjes” në fushën e Spalit, në Ferrara (0-0). Një skuadër e vogël, por e freskët dhe agressive deri në fund, mund t’ia bëjë jetën të vështirë një superskuadre, që ka kaluar sfida sfilitëse, për të arritur në çerekfinale të Championsit, në finalen e Kupës së Italisë dhe për të parakaluar Napolin në Serinë A.
“Me vjen keq, por është njerëzore, – thotë Alegri, – kur nuk ke mjaftueshëm energji mendore, topat e diskutueshëm i fiton gjithnjë kundërshtari. Është e kotë të bëjmë llogari apo të gjejmë justifikime. Ishin të lodhur”. Napoli tani ka mundësi të afrohet në -2 pikë, gjithnjë nëse fiton ndeshjen e sotme ndaj Xhenoas, në orën 20:45 në “San Paolo”. Alegri parashikon se djemtë e Sarrit do të ndjejnë presion të madh.
Alegri është i lumtur që tani vjen një ndërprerje, pas sfidave të ashpra ndaj Totenhemit, Lacios, Atalantës apo edhe si kjo ndaj Spalit. “Do të na vlejë si mësim për takimet ndaj Beneventos apo Krotones që do të luajnë po kështu”, – shprehet trajneri i kampionëve të Italisë.
Sfidanti.al