Ndonjë herë është keq të kesh një shok skuadre të klubit në fushë ndërsa luan për kombëtaren. Kështu duhet të kenë menduar Mejzën Maunt dhe Ben Çiluell të Anglisë, pasi u detyruan të izolohen nga frika se mos janë të infektuar me koronavirus, pasi u përqafuan në fund të ndeshjes me Billi Gilmorin e Skocisë. Përballja në “Uembli” u mbyll 0-0 dhe tre djemtë e rinj u takuan pasi janë së bashku tek Çelsi i Londrës. Gilmor doli pozitiv për Kovid, ndërsa ekziston dyshimi që edhe dy anglezët të jenë po ashtu. Për momentin, ata rrezikojnë ndeshjen ndaj Republikës Çeke në Euro 2020, një problem më vete për trajnerin Garet Sauthgejt, sepse Maunt ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Anglisë deri tani. Nëse do të duhet të rrinë gjatë në izolim, ata mund të mos luajnë as në ndeshjen e raundit të dytë.
Sfidanti.al