Kosova pranë fazës së grupeve në Europë, pas Skënderbeut shqiptar vjen Ballkani!

Jo më kot doli kampion në Superligën e vendit të tij, dhe jo më kot pretendoi. Ballkani, i drejtuar nga trajneri nga Shqipëria Ilir Daja, është vetëm një hap (ose gjysmë hapi) larg fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Fitorja 2-1 në fushën e FC Shkupit, kampiones së Maqedonisë së Veriut, bën që shqiptarët nga Kosova të kenë shanse të mëdha dhe të jenë favoritë absolutë, ndërsa sfidën e dytë të plej ofit do ta luajnë në fushën e tyre. Në Shkup vendosën golat e shënuar nga Albion Rrahmani dhe Meriton Korenica. Jo më kot, faqja zyrtare e klubit në FB e cilësoi ekipin e vet si “Krenaria e Kosovës”.

Për Ilir Dajën, nëse do t’ia dilte mbanë pas një jave, do të ishte përvoja e dytë në fazën e grupeve në kontinent, pasi ia doli në 2017 me Skënderbeun në Ligën e Europës. Padyshim që përvoja e ndihmon, ashtu siç e ndihmon përvoja me Elbasanin apo Dinamon, me të cilët gjithashtu doli kampion në Shqipëri. Kosova kurrë nuk ka pasur një ekip në grupe, pra në vjeshtën europiane, dhe kjo natyrshëm pasi vetëm në 2016 u pranua në UEFA e në FIFA, ndërsa Shqipëria që ka një histori shumë të gjatë në këto konkurrime (që nga 1962), ia ka dalë vetëm 2 herë me Skënderbeun, edhe pse ekipe të sajat kanë arritur suksese si Flamurtari ndaj Partizanit të Beogradit apo Barcelonës, Tirana ndaj Dinamos së Bukureshtit, Dinamo me Aberdinin e Sëlltikun, Vllaznia me Austrinë e Vjenës si dhe Partizani dinjitoz ndaj Këlnit, Norçepingut, Atvidabergut, Sëlltikut, Malmoes apo Austrisë së Vjenës.

Sfidanti.al