Konten e tremb, por edhe i pëlqen Interi sulmues: Kënaqësi ta shoh!

Është njeri i guximshëm, por ndonjëherë edhe i ruhet rrezikut. Nuk mund të thuhet se Antonio Konte është një trajner i katenaços tipike (të dikurshme) italiane, edhe pse s’mundet të mos thotë fjalë kujdesi, si shumë italianë të tjerë. “Kur sulmon me shumë lojtarë rrezikon jo pak, – shprehej ai para ndeshjes me Beneventon, – e patë se çfarë i ndodhi Mançester Sitit ndaj Leisterit dhe Bajernit kundër Hofenhajmit? Gjithsesi, Interi është skuadër që sulmon, që krijon shumë raste, që luan mirë futboll. Mendoj se kënaqësia kryesore është që nuk ka ndryshuar mënyra e lojës në krahasim me sezonin e kaluar, thjesht kemi më shumë zgjedhje. Përsa i përket golave të pësuar, do të duhet të punojmë më shumë për ekuilibrin, por kënaqem kur i shoh djemtë e mi dhe lojën e tyre shumë të mirë”.

“Hakimi është lojtar i lindur për të luajtur këtë lloj futbolli, – thotë më tej Konte, – Vidali po ashtu na jep përvojë dhe forcë, por e zëvendësova sepse mori një goditje, edhe pse jo serioze. Tani kemi në bazament punën e një viti, që është plus i madh, kemi mundësi të hedhim në fushë lojtarë të tjerë. Gjithsesi, nuk dua të flas për titullin, se kush është favorit. Vjet ne ishim surpriza e kampionatit, këtë vit na vlerësojnë më shumë. Na vjen mirë që ndodh kjo, por së pari duhet të respektojmë veten dhe punën që bëjmë. Nuk mund të flasim për titullin, por për ndeshjen e radhës me Napolin”.

Sfidanti.al