Për të disatën herë, Kombëtarja Shpresa dështon në misionin kualifikim për në europian duke reflektuar edhe një herë mungesë force, eksperience dhe cilësie. Humbja në dorëzimin pa kushte kundër Zvicrës e vendos në pozita të vështira skuadrën U-21 që në kontrast nga Kombëtarja e parë, nuk arrin të ëndërrojë për një Europian të mundshëm edhe pse gjatë dekadës së fundit, brezat që kanë kaluar nga kjo skuadër kanë pasur jo pak talent në këmbët e tyre.
Kapitullimi pa kushte ndaj Zvicrës në Tiranë tregon limitet e vërteta të kësaj skuadre por vë në dukje edhe një fakt pasi pakkush e përmend emrin e timonierit Alban Bushi i cili me siguri ka bërë mirë në të shkuarën por gjatë viteve të fundit rezultatet nuk i janë përgjigjur pritshmërive . Në logjikën e ndryshimeve që kanë pësuar të gjitha skuadrat e zinxhirit të kombëtares, vetëm U-21 nuk është prekur dhe ky fakt ngjall jo pak hije dyshimi. Alban Bushi i ka dhënë dhe ndoshta mund t’i japë shumë kësaj fanelle, por ndoshta i ka konsumuar të gjitha bonuset në stolin e Kombëtares, që nuk është më.. “serbator” i skuadrës së parë.
Nga Pirro Bardhyli