Do të ketë “thërrime” për të gjitha ekipet e finales katërshe këtë sezon në Superiore. Në një kohë që sezoni është drejt mbylljes, FSHF premton “dhurata” për “fundvitin” që do të shkojnë për “nxënësit” më të dalluar. Ndoshta është një rast i paprecedentë që Komiteti Ekzekutiv i një federate publikon listën e shumave që do të arketojnë ekipet më të forta të formulës së re, e fikur që në nisje por që FSHF tenton ta mbajë të ndezur në mënyrë fiktive. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në mbledhjen e zhvilluar para fillimit të sezonit 2023-2024, ka vendosur të miratojë ndryshimin e shpërblimeve për ekipin fitues të Superiores, ndërsa ka menduar edhe për ato skuadra që pozicionohen në vendet 2, 3 dhe 4. Në bazë të asaj që është parashikuar në rregulloren e aktivitetit, konfirmohet se përveç 100 milionë lekëve të vjetër në formën e një çeku bankar që ka marrë historikisht klubi kampion, tashmë do të ketë edhe bonuse për skuadrat e “Final 4”. Respektivisht, vendi i parë do të marrë edhe 100 milionë lekë të vjetër shtesë, ndërsa vendi i dytë 70 milionë lekë të vjetër, vendi i tretë 50 milionë lekë të vjetër dhe vendi i katërt 20 milionë lekë të vjetër. Ndërkohë, shpërblimi për fituesin e Kupës së Shqipërisë ka mbetur në shifrën 50 milionë lekë të vjetër.
Nga Pirro Bardhyli