Le ta themi që në fillim se mund t’ia dalim. Kombëtarja shqiptare ka një shans të mirë për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian 2024, pas shortit të hedhur në Frankfurt të Gjermanisë. Pasi u tërhoqën goglat nga vazot, fati i Shqipërisë ishte që të vendosej në grupin E, me rivalët Poloni, Çeki, Ishujt Faroe dhe Moldavi. Në finale kalojnë direkt dy vendet e para në grup, ku favoritë pritet të jenë polakët e çekët, por ekziston mundësia për t’u kualifikuar nga plej ofi, dhe ky i fundit do të përcaktohet nga Liga e Kombeve e edicionit 2022-2023. Ndeshjet nisin në 23 mars të vitit të ardhshëm dhe përfundojnë në 21 nëntor po të 2023-it.
Rivalët e grupit janë njohje të forta për kuqezinjtë. Me Poloninë u ndeshëm në eliminatoret e Kupës së Botës, duke pësuar dy humbje që ishin fatale për mundësitë për t’u kualifikuar, ndonëse në grup arritëm dy fitore ndaj Hungarisë. Me Çekinë humbëm 1-3 miqësoren e zhvilluar në Pragë në qershor të vitit të kaluar, ku autor goli për shqiptarët ishte Sokol Cikalleshi. Me Moldavinë kemi bilanc pozitiv me 4 fitore e 1 barazim, duke nisur që nga suksesi 3-0 në 1995, e deri tek triumfi 4-0 me Rejën tre vjet më parë në stadiumin e Çisinaut. Me Ishujt Faroe, ndërkaq, nuk kemi asnjë precedent.
Nëse Shqipëria shkon në plej of, ndeshjet do të jenë në 21 dhe 26 mars të 2024-ës. Dymbëdhjetë ekipet e plej ofit përzgjidhen nga vendet e para në Ligën e ardhshme të Kombeve, që nuk janë kualifikuar për në finale nga eliminatoret e Europianit. Në këtë rast, përzgjidhen skuadrat direkt më poshtë që nuk janë kualifikuar. Po ashtu, përzgjidhet ekipi më i mirë i Nivelit D, nëse nuk është kualifikuar, si dhe ka edhe dy mundësi të tjera nga i njëjti konkurrim. Kosova ndërkaq do të jetë në grupin i me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Shorti i eliminatoreve të Kampionatit Europian 2024
Grupi A: Spanjë, Skoci, Norvegji, Gjeorgji, Qipro
Grupi B: Holandë, Francë, Irlandë, Greqi, Gjibraltar
Grupi C: Itali, Angli, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Maltë
Grupi D: Kroaci, Uells, Armeni, Turqi, Letoni
Grupi E: Poloni, Çeki, Shqipëri, Ishujt Faroe, Moldavi
Grupi F: Belgjikë, Austri, Suedi, Azerbajxhan, Estoni
Grupi G: Hungari, Serbi, Mali i Zi, Bullgari, Lituani
Grupi H: Danimarkë, Finlandë, Sloveni, Luksemburg, Kazakistan, Irlandë e Veriut, San Marino
Grupi I: Zvicër, Izrael, Rumani, Kosovë, Bjellorusi, Andorrë
Grupi J: Portugali, Bosnjë-Hercegovinë, Islandë, Luksemburg, Sllovaki, Lihtenshtajn
Sfidanti.al