“Armando Broja ishte qershia mbi tortë e fitores së Çelsit”

Kështu ishte titulli pa asnjë lëkundje i “Deili Meilit”, ndërsa tabloidi i dha hakun sulmuesit shqiptar në një përballje të dominuar nga Blutë e Londrës. “Broja ishte qershia mbi tortë e një paraqitjeje shumë të mirë të Çelsit, ndërsa djemtë e Graham Poterit triumfuan 3-0 ndaj një ekipi pa trajner si Uolvesi”. Sulmuesi kuqezi u aktivizua vetëm në minutën e 72-të dhe shënoi në sekondat shtesë të ndeshjes së Premier Ligës, ndërsa ky ishte goli i tij i parë në kampionatin anglez për Çelsin dhe të 7-in në karrierë. “Trajneri Graham Poter dëshiron ta tregojë veten si mbështetës i të rinjve, – vazhdon komenti i “Deili Meilit”, – ndaj edhe aktivizoi Brojën në pjesën e dytë që shënoi një gol të shkëlqyer, ndërsa afrohej sinjalizimi i fundit i arbitrit. Duke sulmuar mbrojtjen e Uolvesit, ai depërtoi nga qendra e fushës duke goditur topin pranë shtyllës së dytë. Ndërsa kremtohej e kaluara e Çelsit (ndeshje-memoral për Diego Kostën), ndoshta ne pamë një shkëlqim nga e ardhmja që pritet të vijë”.

Sfidanti.al