Harri Kejn drejt rekordeve dhe drejt titullit me Totenhemin!

Në karrierë ka shënuar 324 gola dhe kjo nuk është pak. Harri Kejn është vërtet një qendërsulmues, por jo nga ata që rrinë pranë portës si Erling Halandi apo Robert Levandovski, veçse një njeri-asist që ndihmon shokët e ekipit për të shënuar, si një numër 10 i vërtetë. Jo më kot ka 90 asiste në karrierë. Këtë herë, ylli i Totenhemit zgjodhi të shënonte vetë dhe goli i tij i vetëm me kokë i dha fitoren Spërsave në fushën e Brajtonit, në një fitore që nuk ishte aspak e lehtë. Brajtoni është një ekip i fortë dhe kush merr tri pikë në atë stadium, do të thotë se ka pretendime serioze. Ky ishte goli i 8-të i kapitenit të Anglisë në 9 ndeshje në Premier këtë sezon, një statistikë e shkëlqyer. Kejni ka 191 gola në Premier Ligë, duke qenë kandidati i parë për të thyer rekordin e Alan Shirerit me 260, ndonëse edhe Halandi mund ta bëjë nëse do të vazhdojë të qendrojë në Angli për shumë vite. Kejn ka 51 gola për Anglinë, duke qenë vetëm 1 rrjetë larg rekordit të Uejn Runit.

Sfidanti.al